Poleni është një nga shkaktarët më të zakonshëm të alergjive sezonale. Bimët lëshojnë kokrra të vogla poleni, që barten përmes erës, për të fekonduar bimë të tjera të së njëjtës specie në çdo pranverë, verë dhe vjeshtë, madje edhe në dimër. Te personat me alergji ndaj polenit, sistemi imunitar i tyre identifikon polenin si një substancë të rrezikshme dhe fillon ta luftojë atë, dhe si pasojë shfaqen sëmundjet alergjike. Polenet që shkaktojnë sëmundje alergjike vijnë nga pemët, barishtet dhe shkurret. Polenet e pemëve shfaqen në pranverën e hershme deri në fund të pranverës, polenet e barishteve në fund të pranverës deri në fillim të verës dhe polenet e shkurreve në fund të verës deri në fillim të dimrit. Bimët me lule që përhapin polenin e tyre me insekte – si trëndafilat dhe disa pemë, si qershitë dhe dardha – zakonisht nuk shkaktojnë probleme alergjike. Cilat janë simptomat e alergjisë ndaj polenit❔ Personat me alergji ndaj polenit kanë simptome vetëm kur poleni ndaj të cilit janë alergjik gjendet në ajër. Personat mund të jenë alergjik ndaj më shumë se një lloj poleni, prandaj mund të kenë simptome gjatë gjithë vitit, ose vetëm gjatë periudhave të caktuara të vitit. Simptomatologjia është mjaftë karakteristike, simptomat janë të theksuara dhe përfshijnë: – Rrjedhje të hundës, me përmbajtje ujore – Zënie të hundës – Tështitje të theksuara – Kruarje të hundës, të qiellzës, të syve, të veshëve – Skuqje të syve, lotim dhe ënjtje përreth syve – Kokëdhimbje – Kollitje – Fishkëllima në gjoks – Shtrëngim gjoksi -Vështirësi në frymëmarrje Alergjia në polene, mund të përcillet edhe me alergji ushqimore, e cila mund të shfaqet me kruarje ose ënjtje të buzëve, gjuhës dhe fytit, pas ngrënies së disa frutave, perimeve ose arrave. Kjo ndodh sepse disa polene janë të ngjashme me proteinat e këtyre ushqimeve dhe sistemi imunitar ngatërrohet dhe nuk mund të bëjë dallimin midis tyre. Si bëhet diagnostikimi? Diagnostikimi bëhet përmes testeve të alergjisë, që mund të jenë teste që aplikohen në lëkurë dhe teste përmes gjakut. Masat e kujdesit👇 Për të zvogëluar reaksionet alergjike ndaj polenit, është e rëndësishme të ndërmerren disa veprime, sikurse: -Të fillohet me terapi para se të fillojë sezoni i polenit, kjo do të parandalojë lirimin e substancave që shkaktojnë simptomat e alergjisë. -Të kufizohen aktivitetet në natyrë kur sasia e polenit është e lartë, kjo do të zvogëlojë kontaktin me polene dhe do të ndihmojë në uljen e simptomave. -Të mbahen dritaret të mbyllura në kohën e pikut të polenit. -Mbajtja e syzeve të diellit dhe mbulimi i flokëve në natyrë janë të dobishme. -Të ndërrohen dhe pastrohen rrobat e veshura gjatë aktiviteteve në natyrë dhe tharja e tyre të bëhet në tharëse rrobash ose brenda, jo jashtë. -Të bëhet dush çdo ditë para gjumit, kjo do të largojë polenin nga trupi. -Të lahen mbulesat e shtratit një herë në javë. -Të kufizohet kontakti me kafshët shtëpiake që kalojnë shumë kohë jashtë dhe të pastrohen kur ato të hyjnë brenda. Trajtimi👇 Janë dy lloje trajtimesh, trajtimi simptomatik dhe trajtimi specifik. Trajtimi simptomatik është individual, varësisht nga mosha dhe simptomatologjia, përshkruhet terapi për t’i kontrolluar simptomat.
Dr.Valbona Gashi - Specialiste e Alergologjsë
Trajtimi specifik apo Imunoterapia, po ashtu është trajtim individual dhe afatgjatë. Me këtë trajtim synohet të ndryshohet rrjedha e sëmundjes alergjike, duke ndryshuar përgjigjen imune të trupit ndaj substancave që shkaktojnë alergji. Ekzistojnë dy lloje të imunoterapisë: vaksinat kundër alergjive dhe imunoterapia që jepet nën gjuhë.
Na kontaktoni!