Tuberkulozi (TB) është një sëmundje bakteriale që zakonisht prek mushkëritë. TB më rrallë prek edhe pjesët tjera të trupit, si trurin, veshkat ose shtyllën kurrizore. Si përhapet TB? Mikrobet e tuberkulozit përhapen nga një person te tjetri përmes ajrit. Mikrobet e tuberkulozit shpërndahen në ajër kur një person me sëmundjen e tuberkulozit të mushkërive kollitet, teshtin, qesh ose flet me zë të lartë. Njerëzit aty pranë mund të thithin ajrin me mikrobe të tuberkulozit dhe kështu të infektohen. Tuberkulozi NUK përhapet duke përdorur enët ose gotat, ose duke e prekur një njëri të infektuar. Cili është ndryshimi midis infeksionit latent të TB dhe sëmundjes së TB (Tuberkulozit aktiv)? Infeksioni latent i TB Jo të gjithë të infektuarit me mikrobet e tuberkulozit zhvillojnë sëmundje. Njerëzit që janë të infektuar, por nuk janë të sëmurë, kanë atë që quhet infeksion latent i tuberkulozit. Njerëzit me infeksion latent të TB-së kanë mikrobe të TB-së në trupin e tyre, por ata nuk janë të sëmurë sepse mikrobet qëndrojnë të fjetura në trupin e tyre. Njerëzit me infeksion latent TB nuk kanë simptoma dhe nuk mund t’i infektojnë të tjerët. Megjithatë, këta persona mund të zhvillojnë sëmundje TB në të ardhmen. Për të parandaluar zhvillimin e sëmundjes së TB-së, njerëzit me infeksion latent të TB-së duhet të trajtohen me barna. Sëmundja aktive e tuberkulozit (Tuberkulozi aktiv) Njerëzit me TB aktiv janë të sëmurë për shkak të numrit të madh të mikrobeve të tuberkulozit që janë aktiv në trupin e tyre. Ata zakonisht kanë një ose më shumë simptoma të sëmundjes. Personat me sëmundje të TB-së shpesh ndihen të dobët ose të lodhur, humbin peshë, kanë ethe dhe djersiten gjatë natës. Nëse sëmundja e TB ka prekur mushkëritë (siç ndodh më shpesh), ata gjithashtu mund të kolliten dhe të kenë dhimbje gjoksi dhe mund të nxjerrin gjak me kollë. Simptoma të tjera varen nga cila pjesë e trupit është prekur nga mikrobet e tuberkulozit. Njerëzit me sëmundje të TB mund të përhapin mikrobet e tuberkulozit te të tjerët. Sëmundja e tuberkulozit duhet të trajtohet me barna. Nëse NUK trajtohet, një person me sëmundje të TB mund të ketë probleme serioze shëndetësore dhe të vdesë. Kush ka më shumë gjasa të zhvillojë sëmundjen e TB? Një person që infektohet me bacilin e TB, ka më shumë mundësi për të zhvilluar sëmundjen e TB nëse është fëmijë; ka probleme të tjera shëndetësore, si diabeti (që e bëjnë të vështirë për trupin të luftojë mikrobet); nëse abuzon me alkoolin ose drogën apo nëse ka infeksion me HIV. Si mund ta dimë nëse kemi TB? Duhet të bëni një test të lëkurës për tuberkulozin (PPD testi) ose një test me gjak për tuberkulozin (Quantiferon TB Gold). Si bëhen analizat e tuberkulozit? Për testin e lëkurës për TB, përdoret një gjilpërë të vogël me të cilën injektohet tuberkulina nën lëkurë. Kjo zakonisht bëhet në pjesën e poshtme të brendshme të krahut tuaj. Pasi të keni bërë testin, duhet të ktheheni pas 2 deri në 3 ditë për të parë nëse ka një reagim ndaj testit. Nëse ka një reagim, madhësia e reagimit matet për të përcaktuar nëse keni një rezultat pozitiv. Ndërsa për analizën e gjakut, duhet të merret një mostër e gjakut nga vena, të cilën analizë mund ta bëni në AVICENA KS me rezultat brenda 24 orëve. Nëse testi për TB është negativ? Një test negativ zakonisht do të thotë që ju nuk jeni të infektuar me mikrobet e tuberkulozit. Megjithatë, testi mund të jetë rrejshëm negativ nëse sistemi juaj imunitar nuk funksionon siç duhet ose nëse jeni infektuar kohët e fundit. Po sikur testi të jetë pozitiv? Një test pozitiv zakonisht do të thotë që ju jeni infektuar me mikrobet e tuberkulozit. Kjo nuk do të thotë që ju keni sëmundje aktive të TB. Teste të tjera, si një radiografi e gjoksit ose një analizë e pështymës (gëlbazës), nevojiten për të parë nëse keni sëmundje aktive të TB. A mund të infektohem edhe pse e kam marrë vaksinën BCG? BCG është një vaksinë për TB. Kjo vaksinë në vendin tonë u jepet të gjithë foshnjave dhe fëmijëve. Vaksina BCG nuk është mjaft efektive në mbrojtjen e të rriturve kundër tuberkulozit. Ju ende mund të infektoheni me TB ose të zhvilloni sëmundje TB edhe nëse jeni vaksinuar me BCG. Çfarë duhet të bëj nëse kam infeksion latent TB ose sëmundje aktive të TB? Bëni testet e nevojshme. Ndiqni këshillat e mjekut tuaj dhe merrni barnat sipas rekomandimit.
Dr. Besim Morina - Specialist i Pulmologjisë
Si infeksioni latent i tuberkulozit ashtu edhe sëmundja e tuberkulozit mund të trajtohen me barna. Avicena KS, jeto shëndetshem!🍀
Na kontaktoni!