Në një intervistë për Avicena KS, Dr. Salih Ademi – mjek i specializuar në mjekësinë familjare – flet për rolin jetik që ka mjeku familjar në sistemin shëndetësor dhe për raportin e veçantë që duhet të krijohet me pacientin. Doktor, çfarë roli ka mjeku familjar në jetën e pacientit? "Çdo i sëmurë kërkon ndihmën e mjekut – kjo është e natyrshme dhe e domosdoshme. Por pikënisja e çdo kujdesi të mirëfilltë mjekësor është te mjeku familjar. Ai është çelësi për të kuptuar dhe për të ndihmuar më tej pacientin në çdo sëmundje tjetër." Si duhet të jetë qasja e mjekut familjar ndaj pacientit? "Qasja duhet të jetë shumë e afërt, e ngrohtë, njerëzore. Pacienti duhet ta ndjejë se ti – si mjek – je aty me gjithë qenien tënde, për ta ndihmuar. Duhet të të besojë, të bindej se je aty për shërimin e tij." Çfarë e bën një mjek familjar të suksesshëm në vendosjen e diagnozës? "Gjithçka fillon me anamnezën – me dëgjimin e kujdesshëm të historisë së pacientit. Statistikat tregojnë që mbi 70% e diagnozës vendoset vetëm nga anamneza. Rreth 20% vjen nga analizat biokimike dhe vetëm 5% nga vetë përshkrimi i pacientit se çfarë mendon se ka. Por nëse nuk e dëgjon mirë pacientin, e humb gjithë këtë informacion."
Pra, dialogu është i domosdoshëm?
"Jo vetëm domosdoshëm – është thelbësor. Pacienti duhet të ndihet i lirë të tregojë pse ka ardhur, çfarë e shqetëson dhe çka e ka shtyrë të kërkojë ndihmën tënde. Vetëm atëherë, si mjek, mund t’i qasesh sëmundjes së tij me seriozitetin dhe përkushtimin e duhur."

Na kontaktoni!